Shkëmbi: Fillimi i një rikthimi për në finalet e mbetura, fusha e tregon nëse kam bërë mirë

Deri para pak javësh, Teuta shihej si pretendente për vendin e dytë dhe në shumë raste është folur edhe për titullin kampion. Së fundmi, durrsakët kanë kaluar një moment të vështirë duke humbur terren dhe duke iu larguar jo pak vendit të tretë.

Në një prononcim për ‘Supersport’, trajneri Bledi Shkëmbi u shpreh se skuadra e tij do të synojë të marrë më të mirën në ndeshjet e mbetura duke shpresuar njëkohësisht që barazimi ndaj Kukësit të jetë një fillim për rikthimin e Teutës në formë.

“Na bëri mirë pushimi dhe me Kukësin morëm rezultat të mirë. Jo vetëm në lojë por pamë edhe dëshirë që mungonte më parë. Ishte fillimi për finalet që na kanë mbetur.

Ndeshja me Luftëtarin? Mendoj se kjo është e bukura e kampionatit pasi në javët e fundit do të vazhdojë gara. Duke pasur parasysh që luajmë me Luftëtarin që ka bërë mirë dhe luan futboll, për ne është e vështirë. Ne duam të arrijmë objektivat tonë dhe nëse duam të vazhdojmë, duhet ta fitojmë këtë ndeshje.

Europa? Dëgjoj shumë komente por e di shumë mirë dhe e kam të qartë se futbolli ka fushën dhe ajo e tregon nëse është bërë mirë apo keq. Në fushë do të tregojmë se si ka shkuar ky vit. Mendoj se jemi ekip i formuar dhe shpresoj t’ia arrijmë pas një periudhe jo të mirë. Kemi investuar në mënyrën e duhur.

Besimi nga klubi? E kam thënë shpesh se viti i parë në Superiore dua të falënderoj klubin që më hapi dyert dhe më dha shansin. Nëse arrijmë objektivat, do të jetë sukses i dyanshëm dhe do të jetë diçka e mirë për karrierën që sapo kam nisur”, tha Shkëmbi. /Erjon Allaraj-VipSport.al/