Shkëmbi: Duhet më shumë cilësi për golin, topi shkon më shpejt se lojtarët aty ku duhet

Trajneri i Teutës, Bledi Shkëmbi, është shfaqur i mërzitur për faktin që skuadra e tij nuk mundi të merrte pikë të plota në ndeshjen me Luftëtarin. Ai tha se pati më shumë dëshirë, por mungon rezultati, ndërkohë që pranoi se duhet më shumë cilësi në sulm. Po ashtu, Shkëmbi dha edhe një mesazh tjetër për të tijtë: topi shkon më shpejt se lojtari atje ku duhet!

“Mendoj se sot nuk funksionoi pjesa sulmuese. Kundërshtari na e bëri shumë të vështirë me mënyrën si luajti. Për të shkuar te goli, duhet më shumë cilësi. Kundërshtari mund edhe të na ndëshkonte. Kemi punuar gjithë javës me mënyrën si do të luanim me Vajushin. Nuk është mirë të ndryshosh në minutën e fundit, nuk dua të justifikohem. Na duheshin pikët, që për fat të keq, nuk arritëm t’i merrnim të plota, por ekipi pati më shumë dëshirë në këtë ndeshje.

Progni dhe Hakaj në përgjithësi e bënë mirë detyrën. Lojtarët e krahut duan një ndihmë në momentin që duhet të pësojnë. Lojtarët duhet të dinë se topi shkon më shpejt se lojtari aty ku duhet. Asnjëherë nuk e kishim menduar se 4-5 javë para fundit të kampionatit ta kishim mbyllur objektivin e Europës. E dinim që do të ishte e vështirë, tani është bërë edhe më e vështirë.

Nëse do të kishim fituar sot, do të ishte më e lehtë. Nëse ka një përgjegjës, jam unë, sepse lojtarët e afruar në janar i kam kërkuar unë. Nuk është e vërtetë se ka xhelozi. Mendoj se ka të bëjë aspekti psikologjik, duke mos bërë në fushë atë që duhej të bënim. Duhet të bëjmë maksimumin, duhet të shënojmë që të arrijmë objektivin në fund të kampionatit”. / Vipsport.al