Sherri me Nejmar në tribuna, tifozi: Më kanë kërcënuar, jam mbyllur në shtëpi

Një ngjarje e pakëndshme ndodhi në finalen e Kupës së Francës, ku PSG u mposht në lotarinë e penalltive nga skuadra e Rene. Si të gjithë futbollistët e tjerë edhe Nejmar, i cili sapo ishte kthyer nga dëmtimi, e përjetoi keq disfatën. Në ritualin e përhershëm kur lojtarët shkojnë për të marrë medaljet, një prej tifozëve të parisienëve i irrituar nga humbja, kritikonte në mënyrë ofenduese futbollistët që kalonin pranë.

Fillimisht, Bufon më pas Verratin, teksa Nejmar ndryshe nga dy të parët reagoi ndaj tifozit duke e goditur. Një gjest që pritet t’i kushtojë shtrenjtë brazilianit, ndërsa në telashe është futur edhe tifozi i cili është penduar për fjalët, por ndërkohë ka marrë kërcënime për arsyen e Nejmarit dhe prej një jave është ngujuar në shtëpi.”Sigurisht që jam penduar për fjalët e mia, por nuk ishin një provokim. Jam penduar edhe për fjalët ndaj zotërinjve Verrati dhe Bufon.

Por, Nejmar nuk duhej të reagonte në atë mënyrë, pasi është një profesionist. Dhe kritikat janë pjesë e punës së tij. Ka njerëz që në rrjetet sociale kanë shpërndarë adresën e shtëpisë sime, kjo situatë është tepruar shumë. Jam një person që e dua jetën, por prej një jave jam mbyllur në shtëpi dhe nëse duhet të dal, nuk e bëj i pashoqëruar. Më kanë kërcënuar 4 persona duke më thënë se herën tjetër që prek Nejmar, do të kesh të bësh me ne”, tha tifozi.

/Egi Çabeli-VipSport.al/