Shehu: Tre klube janë licencuar për Europën, Tirana po rishqyrtohet

Kur kanë mbetur vetëm pak javë deri në mbyllje të sezonit futbollistik në Shqipëri, ka ende paqartësi rreth skuadrave që shkojnë në Europë sa u përket licencimeve të tyre. Situatën aktuale e ka shpjeguar në “Rubrika Sportive” Fation Shehu, botues i VIP Sport, i cili ka treguar gjendjen aktuale sa i përket disa ekipeve të Superiores.

“Në çdo kampionat në Europë janë bërë publike skuadrat e licencuara, ka ndodhur edhe në Kosovë e nuk po marr për bazë vetëm Italinë si shembull, vetëm në Shqipëri nuk  kanë bërë një gjë të tillë.

Në dijeninë time, janë tre klube që kanë marrë përgjigjen pozitive deri tani. Lista mund të jëtë edhe më e gjatë por për klube të sigurta që kanë marrë përgjigjen pozitive janë Partizani, Kukësi dhe Laçi.

Flamurtari nuk është në këtë listën e sigurt. Ai klub ka problemet e veta dhe mendoj që është shumë e vështirë të jetë e licencuar. Mendoj se janë jashtë afatit.

Situata e Tiranës është problematike. Sipas informacioneve që kam brenda FSHF, ata janë me status të pezulluar, po bëhet rishikim dokumentacioni për faktin se ndodhi problematika e edicionit të kaluar ku mori pjesë në Europë dhe u anulua fondi. Situata e paqartë është vetëm mbi Flamurtarin, pjesa tjetër janë të qartë për idetë dhe kushtet e tyre”, tha Shehu. /vipsport.al/