Shehu: Aksionet e Tiranës në shitje, lista mund të kufizohet vetëm me ish-donatorët

Fation Shehu, botues i Vip Sport, tregon se si funksionon nga ana juridike shitja e aksioneve të klubit të Tiranës nga Bashkia e kryeqytetit. Në “Rubrika Sportive” ai tregoi se në këtë garë me të drejtën e parablerjes mund të hyjnë të gjithë ata donatorë të cilët kanë të faktuar nëpërmjet dokumentacioneve investimet e tyre.

“Në rastin Morina që ka deklaruar se është i gatshëm, ai ka një vlerë që pretendon se ka shpenzuar 500 mijë euro me letra. Ndërkohë që vlera e Tiranës është në total 940 milionë lekë e aksioneve. Ai ka të drejtën e parablerjes, meqë ai mendon se i ka letrat në rregull, ka të drejtën që të paguajë pjesën e mbetur të shumës. Nëse do të ketë më shumë si Morina, kam përshtypjen që do të jetë e paracaktuar lista e aksionerëve mes atyre që kanë sponsorizuar më parë.

E gjithë fabula është te mënyra se si kanë dokumentacionin, se kjo është kryesore. Më mirë se bashkia këtë nuk e di askush, pavarësisht se do të jetë listë e gjatë. Mendoj se do të kufizohet te këta që do të kenë dhënë donacionet më parë, dyshoj te jenë të tjerë. Ky është klub që nuk të afron gjë tjetër veç aksioneve, nuk ka asete. Më duket çmenduri që të afrohet një biznesmen e të shpenzojë aq para për një logo me vlerë morale por pa asnjë aset të shfrytëzueshëm”, shpjegoi Shehu. /vipsport.al/