Shehi e ka me mungesat dhe eksperiencën: Vuajmë në çdo ndeshje, sërish bëmë gabime!

Skënderbeu luan mirë por humbet. Ky është refreni që e kemi dëgjuar shpesh nga trajneri Orges Shehi. E ka thënë edhe pas ndeshje ssë sotme me kuksianet në prononcim për “Supersport” pas sfidës me kuksianët. Shehi ndalet edhe te mungesat dhe dëmtimet e  titullarëve… “Ekuilibrat na u prishën që mbrëmë, pasi u sëmur Kristi. Menduam që të luajë Muzaka djathtas, por edhe ai pësoi tërheqje. Oto Xhon ishte ndërrim i detyruar që në pjesën e parë. Lojtarët me eksperiencë nuk i kishim. Pësuam golin e parë, madje edhe reaguam. Por, djemtë janë të rinj dhe kur pësuam golin e dytë u goditëm edhe psikologjikisht. I pësojmë golat nga mungesa e eksperiencës. Me portierin 19-vjeçar apo dhe një mbrojtës 18-vjeçar, me Abazin që ka kohë pa luajtur apo dhe Dita në një rol ndryshe. Më vjen keq sepse prodhojmë shumë, djersijmë shumë, por ky është futbolli. E kontrollojmë lojën më shumë se kundërshtarët, por rezultatet në fund nuk na buzqëqeshin neve”.

Reagimi

“Shënuam me Bregun, isha entuziast sepse edhe në dhomat e zhveshjes i kam karikuar lojtarët dhe u kam kërkuar që të bëjnë më të mirën dhe të shënojnë gol jo të mendonim kualifikimin. Shënuam gol, por edhe kundërshtari shënoi dhe u bë shumë e vështirë për ne”, – tha trajneri Shehi.

Gabimet

“Unë jam një trajner profesionist, mundohem që të merrem vesh me lojtarët, pasi ndonjëherë duhet ngritur edhe zëri. Por, ne shohim që ndëshkohemi nga gabimet amatoreske të cilat na kanë kushtuar shumë thuajse në çdo javë ndaj edhe jemi këtu”.

Objektivat

Tani që Skënderbeu u eliminua nga Kupa e Shqipërisë, duket se kanë mbetur vetëm ndeshjet e kampionatit si e vetmja rrugë për Europën. “Na presin ndeshje të vështira, madje që në këtë të diel. Unë dhe stafi duhet që moralisht të ngremë lojtarët për takimet që na presin. Skënderbeu është mësuar me trofe vit pas viti. Ndoshta lojtarët ngarkohen më shumë se ç’duhet. Duhet që ta ngremë ekipin dhe të japim më të mirën në ndeshjet e tjera”, – tha trajneri Orges Shehi pas sfidës me kuksianët.

E.S./Vipsport.al/