Shansi i artë i “nipërve të Krujf” për hakmarrje, muajin tjetër mund të turpërojnë Anglinë

Ky ka qenë një sezon në kufijtë e perfeksionit për klubet angleze pjesëmarrëse në kompeticionet europiane, teksa Liverpuli dhe Totenhemi do të diskutojnë në finalen e 1 qershorit, trofeun e Champions League. Ndërsa nga ana tjetër edhe Çelsi me Arsenalin janë pranë një finale angleze në Europa League. Mirëpo, kjo mund të kthehet në një bumerang për Kombëtaren e Anglisë.

Skuadra e drejtuar nga trajneri Garet Sauthgejt, do të nisë në fundin e muajit përgatitjen për ndeshjen gjysmëfinale të Ligës së Kombeve. Ndeshja e cila për ironi të fatit do të jetë përballë Holandës është përcaktuar të luhet në datën 6 qershor, vetëm 5 ditë pas finales së Ligës së Kampionëve. Një telash ky për Sauthgejt teksa numri i lojtarëve në Kombëtare nga Liverpuli dhe Totenhemi shkon në 9, ndërsa bëhet fjalë për futbollistë të rëndësishëm dhe titullarë të Kombëtares.

Me siguri që Champions-i do të ndikojë në përballjen e dy Kombëtareve më 6 qershor, teksa në Kombëtaren e Holandës do të jenë disa futbollistë të Ajaksit të cilët do të kërkojnë një mini hakmarrje ndaj atyre të Liverpulit.

/Egi Çabeli-VipSport.al/