Selmani si kapiten nuk harron askënd, fjalë zemre pas fundit të kampionatit

Ditën e djeshme ka ulur siparin Kategoria Superiore për sezonin 2018-19 me Partizanin që është kurorëzuar si kampion dhe me Kastriotin që nuk arriti t’ia dalë në rrugën për mbijetesë. Sakaq, Laçi e ka mbyllur me humbje kampionatin duke u mundur nga Teuta me rezultatin 2-0.

Kapiteni i kurbinasve Gentian Selmani, nëpërmjet një postimi në “Instagram” ka falënderuar të gjithë stafin dhe futbollistët për sezonin e bërë. Selmani ka qenë një nga më të dalluarit në fushë me fanellën e Laçit këtë sezon duke u cilësuar edhe shpesh herë si eksperti i penalltive.

“Duam të falënderojmë lojtarët që kanë luajtur me shpirt dhe me zemër në fushën e lojës si në Laç apo në qytete të tjera. Duam të falënderojmë tifozët ULTRAS DIVAS që edhe në momente të vështira, në diell, në shi, në temperatura shumë të ulëta kanë qenë prezent në stadium për të përkrahur ekipin dhe nuk e kanë lënë në baltë.

Duam të falënderojmë stafin teknik që në çdo moment kanë qenë të gatshëm për gjithçka kanë dhënë mendimet e tyre. Duam të falënderojmë trajnerin tonë aktual SULEJMAN STAROVA edhe pse na mori në një moment të vështirë i dha kurajo ekipit dhe e ngriti përsëri në nivelin që kemi qenë.

Dhe ne fund por jo nga rëndësia duam të falënderojmë presidentin tonë PASHK LASKA që bëri afrime në merkato shumë të mira dhe i shfrytëzoi mirë. Faleminderit për gjithçka! Faleminderit të gjithëve”, tha Selmani. /VipSport.al/

more recommended stories