Sasuolo shuan ëndrrën Champions të Romës, u bën nder skuadrave të Milanos

Ëndrra e Romës për t’u kthyer në Ligën e Kampioneve në sezonin e ardhshëm ka marrë një goditje të rëndë sot, kur ekipi i Klaudio Ranierit është ndalur në barazim pa gola përballë Sasuolos që nuk luftonte për ndonjë objektiv të rëndësishëm.

Duket se polemikat rreth De Rosit kishin bërë punën e vet, pasi romanistët u shfaqën jo në nivelin e pritshëm në këtë sfidë, duke mos arritur të dominonin ndaj skuadrës vendase edhe pse mendohej se diferenca mes palëve ishte e madhe. Të dy skuadrat shpërdoruan disa mundësi të mira për të shënuar në këtë duel, ndërsa Roma goditi edhe shtyllën me Klajvert. Por në fund sfida u mbyll pa gola dhe bën që objektivi Champions i verdhekuqve të bëhet thuajse i pamundur.

Atalantës së vendit të katërt i mjafton një pikë në dy ndeshjet e saj për të kaluar verdhekuqtë në renditje. Ky rezultat bën Interin të marrë frymë më i qetë, pasi ka një rival mpak që mund t’i rrezikojë vendin e tretë. Ndërsa edhe Milani ka përsëri shanse tashmë të kthehet në zonën e rëndësishme të kampionatit duke kapërcyer këtë skuadër dhe të luftojë me shumë mundësi me Atalantën e Interin për biletën në turneun më të rëndësishëm në Europë. /vipsport.al/