Sarri jep ultimatum: Nëse e ardhmja ime varet nga Europa, më shkarkoni që tani

Maurisio Sarri arriti të kualifikojë Çelsin në Ligën e Kampionëve, si edhe e çoi deri në finalen e Ligës së Europës aty ku përballë do të ketë Arsenalin. Pavarësisht se ky është një sezon deri diku pozitiv, sidomos nën drejtimin e Sarrit, e ardhmja e teknikut italian mbetet e paqartë. Emri i tij lakohet te Juventusi dhe në Angli janë të bindur se nëse nuk fiton Ligën e Europës, do të shkarkohet.

Vetë Sarri ka reaguar në lidhje me këtë çështje duke dhënë edhe një ultimatum. Ai është shprehur se nuk mund të vulosen 10 muaj punë në vetëm 90 minuta lojë, duke kërkuar që ta shkarkojnë që nga ky moment nëse realisht e ardhmja e tij varet nga Europa.

“Nëse situata po shkon në këtë pikë, unë iki që nga ky moment. Nuk mund të bësh 10 muaj punë dhe më pas të luash gjithçka në vetëm 90 minuta lojë. Unë vetëm mund të punoj dhe të provoj të përmirësoj skuadrën. Vetëm mund të provoj të bëjë skuadrën të luajë më mirë, të fitojmë më shumë ndeshje. Nuk e di se çfarë mund të bëj më shumë se kaq”, tha Sarri. /Erjon Allaraj-VipSport.al/