Sakrifica e Pogba për Real Madrid, francezi i gatshëm të ulë pretendimet për t’u bashkuar me Zidan

Pol Pogba është i vendosur për të mos vazhduar më aventurën e tij në klubin e Mançester Junajtid. Mesfushori ka pasur një sezon plot ulje e ngritje, ndërsa në këtë fund kampionati paraqitjet e tij por edhe deklarata se do t’i pëlqente një transferim në Madrid te Reali, nisën një konflikt mes tij dhe tifozëve që kulmoi në ndeshjen e fundit të kampionatit teksa fansat e kontestuan ashpër.

Ndërkaq, përveç pakënaqësive, në vendimin e francezit për të lënë Anglinë, ka ndikuar edhe fakti se Mançesteri nuk do të mund të marrë pjesë në Ligën e Kampionëve sezonin e ardhshëm. Kandidat për Pogba është edhe ish-klubi i tij Juventusi, por mesfushori duket i prirur për një aventurë të re në karrierë dhe ka zgjedhur Spanjën si destinacion.

Madje, nga mediat pranë klubit të Junajtid bëhet e ditur se Pogba është i gatshëm të ulë edhe pretendimet e tij sa i përket rrogës vjetore për t’u bashkuar me ‘Los Blancos’ ku do të mund të bashkohet me trajnerin Zinedin Zidan, i cili është një fans i madh i mesfushorit.

/EgiCabeli-VipSport.al/