Sadiku merr petkun e heroit në Zvicër: Nuk ishte e lehtë për mua, moment i lavdishëm

Armando Sadiku arriti të gjente edhe njëherë tjetër rrugën e rrjetës në Zvicër, gol ky që i ka dhënë një pikë të rëndësishme skuadrës së Luganos. Pas shumë vitesh mungesë, Lugano u rikthye në Ligën e Europës dhe kontribut në këtë sukses ka pasur edhe Sadiku i cili nëpërmjet një postimi në “Instagram”, është shprehur se nuk e kishte aspak të lehtë.

“Jemi në fund të kampionatit. Erdha te Lugano në kohën time më të vështirë ku objektiv ishte mbijetesa por ne arritëm të bënim diçka tjetër, duke shkuar në grupet e Ligës së Europës dy vite më parë. Jam i lumtur që kam dhënë kontributin tim në këtë sukses duke shënuar 3 gola të rëndësishëm.

Është e vërtetë, nuk ishte e lehtë për mua që të kthehesha nga një dëmtim i tillë dhe të luaja çdo lojë nga 90 minuta. Kam dashur të bëj edhe më mirë, por jam i sigurt se çdo minutë në fushë unë gjithmonë jap më të mirën për këtë fanellë.

Falënderoj klubin, stafin teknik, shokët e ekipit dhe të gjithë njerëzit bardhezi për këtë moment entuziazmi dhe lavdie”, shkruhej në postimin e Sadikut. /Erjon Allaraj-VipSport.al/