Rumenige hedh poshtë Alegrin, premton blerjen e bujshme nga Anglia për Bajernin

Bajern Mynih do të vazhdojë me Niko Kovaç në stol. E ka konfirmuar një nga drejtuesit më të lartë të klubit bavarez, Karl-Hainc Rumenige, i cili ka folur për çështjen e trajnerit dhe të merkatos.

“Kovaç nuk ka qenë asnjëherë në diskutim dhe do të jetë trajneri ynë edhe për sezonin e ardhshëm”, – ka theksuar drejtuesi i Bajernit për të përditshmen “Bild”, gjatë një aktiviteti në Berlin, në vigjilje të finales së Kupës së Gjermanisë. Prej kohësh qarkullojnë zëra se Kovaç do të largohej nga Bajerni në fund të sezonit, pavarësisht fitimit të titullit në Bundesligë. Ndër emrat e kandidatëve për të marrë drejtimin e bavarezëve ka qenë edhe Masimiliano Alegri, por Rumenige  e ka hedhur poshtë kategorikisht.

Rumenige ka konfirmuar ndërkohë që bisedimet për të blerë nga Mançester Siti sulmuesin anësor Leroi Sane: “Do të provojmë për Sane, do të bëjmë gjithçka, por të shohim”, – ka deklaruar ai. Drejtori sportiv, Hasan Salihamixhiç, do të shkojë në Angli për të folur me drejtuesit e Mançester Sitit. Sane ka qenë objektiv i Bajernit që kur ishte pjesë e Shalke 04, por prezenca e Roben dhe Riberi i kishte stepur drejtuesit bavarezë për ta blerë. / Vipsport.al