Rrezikon vendin e dytë dhe ka finalen, Kukësi lë Rexhinaldon jashtë kombëtares

Kukësi ndalon Rexhinaldon të shkojë me ekipin kombëtar për disa ndeshje miqësore, pasi fundi i sezonit nuk është aq i qetë sa t’i jepte leje para kohe futbollistit që të tregonte vlerat e tij edhe me fanellën e Mozambikut.

Dy humbjet radhazi ndaj Luftëtarit e Skënderbeut kanë komplikuar disi pozitat e Kukësit në kampionat dhe vendi i dytë nuk është më aq i sigurt sa mendohej e në teori, as Europa nëpërmjet kampionatit. Dëmtimi i Shkurtajt dhe e ka bërë edhe më serioze situatën te verilindorët të cilët kanë para finalen e Kupës së Shqipërisë ndaj Tiranës, që është shansi i tyre për të mbyllur sezonin me trofe.

Vip Sport ka mësuar se kur Federata e Mozambikut është interesuar për të grumbulluar Rexhinaldon për ndeshjet miqësore të një turneu që zhvillohet në dy javët në vijim, përgjigja që ka marrë nga Kukësi ishte negative. Kësisoj trajneri Abel Ksavier ka vendosur që të lërë lojtarin jashtë listës së tij për tre ndeshjet në grup ndaj Namibisë, Ishujve Sejshell dhe Malaui, ndërsa nuk do të jetë e mundur që ta grumbullojë më tej në këtë turne miqësor nëse kualifikohet në fazën finale të tij që luhet në qershor. /vipsport.al/