Roma nis të mendojë telashet nga renditja, Liga e Europës i sjell probleme

Roma ka hedhur një hap të gabuar në transfertë, duke u ndalur në një barazim pa gola nga Sasuolo dhe duke i dhënë në këtë mënyrë fund ëndrrës për një vend në Ligën e Kampionëve e madje e vështirëson jo pak rrugën për në Ligën e Europës. Aktualisht Roma renditet në vendin e pestë me vetëm 1 pikë më shumë se Milani dhe dy më shumë se Torino që kanë edhe nga një ndeshje më pak.

Me fitoren e dy skuadrave, verdhekuqtë e shohin veten praktikisht jashtë Europës sezonin tjetër, ndërkohë që një tjetër pozicion që do t’i hapte telashe do të ishte vendi i gjashtë. Nëse Roma renditet e gjashta në klasifikim, do t’i duhet ta nisë më herët aventurën Europiane duke qenë se ka ndeshje paraeliminatore për në Ligën e Europës.

Kjo do të bënte që të anulohej çdo plan i verës për ndeshjet miqësore pasi Roma do ta kishte fokusin kryesor në kualifikimin për në Ligën e Europës. E vetmja shpresë që kryeqytetasit kanë, është kualifikimi nga vendi i pestë që i dërgon direkt në grupe. /Erjon Allaraj-VipSport.al/