Roben dhe fundi perfekt i karrierës: Asist nga Riberi dhe unë gol…

Arjen Roben do t’i japë lamtumirën Bajernit të Mynihut pas 10 vitesh në radhët e bavarezëve, një periudhë ku ai fitoi gjithçka dhe u vlerësua mes mesfushorëve më të mirë në historinë e këtij sporti. Nuk është e lehtë të ndahesh pas kësaj kohe, por Roben shpreson që të bëjë gjithçka në mënyrën e duhur e mundësisht të japë kontributin e tij në një garë për titull që do të vendoset pikërisht në ndeshjet e fundit të kësaj jave.

“Në mendjen time kam luajtur 3 herë ndeshjen e të shtunës. Një mbyllje ëndrrash me asistin e Riberit dhe golin tim? Po, kjo do të ishte një ëndërr që realizohet. Një gjë e tillë do të ishte absolutisht fantastike”, tha futbollist i cili ka shënuar 98 gola në Bundesligë. “Mungojnë edhe dy për 100, ndoshta mund t’ia dal të shtunën nëse trajneri më jep 90 minuta kohë”, tha holandezi i cili pranoi se nuk ka vendosur nëse do të vazhdojë apo jo me futbollin e luajtur.

“Nuk është e lehtë të marr vendimin e duhur. Shpresoj të marr një vendim në një apo dy javët e ardhshme, por nuk bëj premtime. Edhe tërheqje nga futbolli? Po, edhe ky është një opsion”, tha Roben.

Përkrah tij, në konferencën për shtyp ishte edhe braziliani Rafinja, mbrojtësi i djathtë i cili pas 8 vitesh do të largohet gjithashtu nga bavarezët. Ai u përlot gjatë konferencës dhe foli i emocionuar para gazetarëve. “Mamaja më porositi që t’i falënderoj të gjithë te Bajerni dhe atë do të bëj tani. Kam kaluar kaq shumë kohë këtu, është miqësi e vërtetë ajo që kam krijuar”, tha ai. /vipsport.al/