Risi nga Superiorja dhe talente nga Italia, Bushi publikon listën e Shpresave

Shqipëria U21 do të luajë në datën 7 qershor ndeshjen zyrtare ndaj Turqisë në transfertë, ndërkohë që në datat 9 dhe 11 qershor, kuqezinjtë do të luajnë ndaj Uellsit dy ndeshje miqësore. Në prag të këtyre takimeve, trajneri i Shpresave, Alban Bushi ka publikuar listën me 25 futbollistë të grumbulluar ku nuk mungojnë risitë.

Kështu, porta është formatuar me Dajsinanin, Andrea Hoxhën nga Vinterthuri dhe Romeo Hajrizajn nga Apolonia. Sakaq, për herë të parë në Kombëtare është grumbulluar edhe talenti i Kastriotit, Patrik Bardhi ndërkohë që pjesë e Shpresave do të jenë Kleandro Lleshi e Aristidi Kolaj nga Sasuolo ku ky i fundit, ka kaluar një dëmtim kohët e fundit. Risi tjetër në listë është edhe Anxhelo Ndrecka nga Kievo.

Për herë të parë me Shpresat është grumbulluar edhe mbrojtësi i Lacios, Serxho Kalaj ndërkohë që Bullari, Vrioni, Zeka e Sula do të kenë detyrën kryesore për të shënuar gola në këto 3 takime. /Erjon Allaraj-VipSport.al/