Riberi e mbyll si kampion me Bajernin: Momenti më i veçantë kur fituam Champions-in

Ditën e djeshme,Bajerni Mynih fitoi zyrtarisht titullin e 7 radhazi në Bundesligë, ndërsa ky kampionat ishte i veçantë për arsyen se Dortmundi luftoi deri në sfidën e fundit, teksa gjithashtu ishte sezoni i fundit me bavarezët për dy futbollistë që pjesën më të rëndësishme të karrierës e kaluan në ‘Allianz Arena’.

Bëhet fjalë për Arjen Roben dhe Frenk Riberi të cilët kanë një pjesë të madhe të meritës për titujt e fituar nga rekordmenët gjermanë. Emocionet e veçanta i ka treguar edhe Frenk Riberi, i cili u shpreh se ky ishte një vit i vështirë por e rëndësishme ishte që ia dolën të ishin kampionë, ndërsa shtoi se ishte një moment special ndeshja e fundit. “E gjithë familja ime kishte udhëtuar nga Franca, për një moment kaq special.

Është e vështirë ta di se kjo do të jetë hera e fundit kaq speciale në ‘Allianz Arena’, pasi kam qenë një lojtar i Bajernit për 12 vite dhe jo për 3 apo 4. Ishte një sezon i vështirë por e rëndësishme është se jemi kampionë. Kam pasur shumë momente të lumtura por më i veçantë ka qenë viti 2013 pasi bëmë diçka të jashtëzakonshme”, tha Riberi.

/EgiCabeli-VipSport.al/