Realizoi ngjitjen historike të Kamzës në Kategorinë e Parë para 12 viteve, shuhet ish-trajneri!

Pas përjashtimit të Kamzës nga Superiorja duke e dërguar në Kategorinë e Dytë, duket se është shuar dhe ndarë nga jeta edhe trajneri i cili arriti që të drejtojë skuadrën e periferisë kryeqytetase duke e rikthyer në të Parën pas disa dekadave.

Edmond Dule, ish-sportisti dhe ish-trajneri i kamzalinjve, i cili ka një kontribut të çmuar për futbollit të Kamzës me disa funksione ndër vite është ndarë nga jeta pas një ataku në zemër ditën e sotme në moshën 60-vjeçare.

KS Kamza njihej ndryshe si KS Dajti kur Dule e drejtoi dhe e riktheu në të Parën. KS Kamza ka arritur të fitojë dy herë Kategorinë e Dytë. Në sezonin 2006/07, kur Dule ishte trajneri, KS Kamza luajti në Kategorinë e Dytë, Grupi A dhe u rendit në vend të parë duke u ngjitur në Kategorinë e Parë pasi mblodhi 45 pikë me një golavarazh 37-14.

Erjon Saliu/Vipsport.al/