Real Madrid reagon kundër Poçetinos: Të befasuar nga ai, nuk ka mbërritur kërkesë te ne

Totenhemi do të luajë në finalen e Ligës së Kampionëve ndaj Liverpulit në “Wanda Metropolitano”, stadiumin e Atletiko Madridit. Në prag të këtij takimi, për “Radio Marca” foli trajneri i Totenhemit, Maurisio Poçetino i cili u shpreh se klubi ka bërë një kërkesë te Reali për t’u akomoduar në qendrën stërvitore të madrilenëe, por këta të fundit kishin refuzuar.

Diçka e tillë nuk i ka pëlqyer aspak Realit që ka dalë në komunikatë për shtyp duke hedhur poshtë akuzën e Poçetinos. Drejtuesit e Realit janë të bindur se nuk kanë marrë asnjë kërkesë nga Totenhemi dhe se në bashkëpunim me UEFA-n kanë ofruar gatishmërinë e tyre për gjithçka.

“Real Madridi është befasuar nga deklarata e bërë nga trajneri i Totenhem, Maurisio Poçetino, për një kërkesë të supozuar që i është bërë klubit tonë për ekipin e tij që të qëndrojë në rezidencën e Real Madridit me rastin e finales së Ligës së Kampionëve.

Real Madrid dëshiron ta bëjë të qartë se është krejtësisht e rreme që kjo kërkesë është bërë. Klubi ynë gjithmonë ka treguar gatishmërinë e tij absolute për të përmbushur të gjitha kërkesat e bëra nga UEFA, Federata Mbretërore Spanjolle e Futbollit, klubi i Atletiko Madrid, Liverpul dhe Totenhem.

Të gjitha kërkesat e paraqitura te Real Madrid lidhen me përdorimin e fushës së trajnimit në rezidencën e Real Madridit dhe në dhomat e zhveshjes. Të gjitha ato janë dhënë nga klubi ynë.

Kështu, Liverpuli planifikon të stërvitet në ambientet tona të shtunën, më 1 qershor në mëngjes. Totenhemi do ta bëjë këtë të enjten, 30 maj dhe të premten më 31 maj.

Real Madridi gjithashtu dëshiron të theksojë se akomodimi për skuadrat finaliste të Ligës së Kampionëve është caktuar nga UEFA sipas organizimit dhe kritereve të sigurisë. Në asnjë moment klubi ynë nuk ka marrë kërkesa që këto skuadra të mund të vendosen në ambientet e Real Madrid”, shkruhej në komunikatë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/