Reagon klubi i Kukësit: Gjoka ka mbështetjen tonë për objektivat, po na shpërqendroni

Klubi i Kukësit nëpërmjet një komunikate për shtyp, ka sqaruar çdo aludim në media ku raportohet se trajneri Ernest Gjoka do të largohet nga Kukësi dhe se në sezonin e ardhshëm, vendin e tij do ta zërë një tjetër trajner që aktualisht po drejton në Kategorinë Superiore. Ky lajm i publikuar ditën e sotme, nga klubi i Kukësit konsiderohet një lajm që synon të shpërqendrojë skuadrën para ndeshjes me Partizanin e Kastriotin si dhe para finales së Kupës.

Njoftimi i klubit:

“FK Kukësi i konsideron të pavërteta lajmet e përhapura sot në media, sikur në bankinë do jetë një nga trajnerët aktualë që drejton për momentin një tjetër ekip të Superligës.

Presidenti dhe klubi i kanë dhënë dhe po i japin mbështetje maksimale ekipit dhe trajnerit Ernest Gjoka, për të kapur dy objektivat, që janë: Vendi i dytë në Superligë dhe fitimi i Kupës së Shqipërisë.

E gjithë vëmendja është përqëndruar te këto dy sfida dhe aspak në ndryshimin e stafit.

Lajme të tilla, perveç se të pavërteta, synojnë të sjellin shpërqendrim te ekipi, por përvoja e lojtarëve dhe stafit bëjnë që përgjegjësia të jetë tepër e madhe.

Ekipi është përqendruar maksimalisht te stërvitja dhe objektivat, dhe me pas te faza përgatitore dhe përfaqësimi dinjitoz në Europë, duke ruajtur bazën e ekipit dhe stafin”, shkruhej në reagimin e klubit. /VipSport.al/