Ranieri kundër klubit: Vendimin për De Rosin e mori presidenti, të ishte për mua do ta mbaja

Nuk është një ambient aspak i qetë këto ditë në klubin e Romës. Një nga figurat më të rëndësishme të tifozerisë romane, Daniele De Rosi deklaroi se do të largohej nga skuadra teksa nuk i është ofruar rinovimi. Kjo ka shkaktuar një pakënaqësi të madhe, ndërsa ultrasit kanë nisur protestat në zyrat e klubit. Ndërkaq mbi këtë temë është shprehur dhe trajneri aktual i Romës, Klaudio Ranieri.

Sipas trajnerit këto janë vendime që i takojnë presidentit ndërsa po të ishte për të do ta kishte mbajtur De Rosin ende për arsyen se mesfushori është një lider dhe është i rëndësishëm për skuadrën. “Nëse tifozët pyesin se kush e merr vendimin atëherë vendimet i merr ai që është në Boston dhe ai është presidenti. Akoma nuk kam folur me De Rosin dhe nuk e di nëse do të luajë ndaj Sasuolos.

E shikoj të motivuar, edhe pse nga përbrenda mund të jetë i tronditur, mbase nuk do të flejë gjatë natës. Është normale të jetë kështu për një flamur si ai, të përjetojë një situatë të tillë. Por kjo ndodh, shoqëria i ndryshon futbollistët. Është ligji i futbollit. Si trajner unë do ta doja ende pasi ai është lideri ideal për një trajner. E di çfarë lojtari është dhe çfarë njeriu e kapiteni është”, tha Ranieri.

/EgiCabeli-VipSport.al/