Rama: Kemi identifikuar emrat për merkaton. Basha? Nuk ia kam idenë…

Partizani bëhet gati për festë, por paralelisht edhe për atë që vjen pas festës spektakolare të titullit në këtë fundjavë në kryeqytet. Këtë e konfirmon drejtori Olsi Rama, i cili para mediave sot ka treguar se si është situata në klubin e kuq para sfidës me Kukësi, por edhe atë që pritet më pas nga ekipi në rrugëtimin në Europë apo edicionin e ardhshëm.

“Ne kemi ndeshje te dielën, do jetë një festë të them të drejtën dhe shpresoj e pretendoj që stadiumi të mbushet plot që të festojmë një sezon të mrekullueshëm të Partizanit. Kundërshtar të radhës kemi Kukësin, sigurisht nuk është ndeshje titulli por do të jetë ndeshje që do ta vlerësojmë se janë rivali që na kanë ndjekur më afër në kampionat. Janë ekip i mirë, por djemtë do ta gjejnë motivim për të treguar edhe një herë se kush janë dhe pse janë këtu”, tha Rama.

Sigurisht që të gjithë kanë filluar të diskutojnë për të ardhmen e Partizanit, me afrimet e largimet për verën e edicionin në vijim, duke vendosur pranë të kuqve edhe emra shumë të njohur. Por Rama sqaron se për momentin nuk ka asgjë konkrete nga ato që flitet e shkruhet duke e cilësuar të tillë edhe atë që ishte aluduar së fundmi për afrimin e Migjen Bashës.

“Në merkato kemi identifikuar disa emra, nuk kemi afruar asnjë. Po shohim të plotësojmë ku është më e nevojshëm aktualisht dhe në disa role për të ardhmen. Fokusin e kam te të rinjtë por sigurisht rritja cilësore dhe Champions këtë vit kërkon edhe ndërthurjen me lojtarë me eksperiencë që të na ndihmojnë të ecim sa më larg.

Basha? Këta djemtë e Partizanit janë të mrekullueshme, jam i sigurt që e kanë ftuar në grup për ta bërë ët ndjehet sa me mirë. Ai është veteran i kombëtares, e kam pëlqyer gjithmonë. Por atë foton e pashë në gazetë, nuk ia kam idenë…”, tha ai.

Drejtori më pas konfirmoi se Partizani po bën gjithçka që në sezonin e ardhshëm të luajë në kompletin e vet dhe në “Arenën Kombëtare”.

“Do të bisedojmë me peronat përgjegjës të stadiumit të ri, të shohim kushtet që na ofrojë për të luajtur atu. Dëshira është të luajmë aty por duhet të jetë një ambient simulues për tifozët. Unë besoj te premtimi i presidentit Demi që do të kemi stadiumin e Partizanit,  ku do të bëjmë pjesën më të madhe të ndeshjebe dhe ata të rëndësishme te “Arena Kombëtare”, tha Rama. /vipsport.al/