“Raketa” e Kombëtares qartëson të ardhmen, firmos kontratën e re për 3 vitet e ardhshme

Merkatoja e verës pritet që të jetë e nxehtë për shumë futbollistë të Kombëtares, por jo për Odise Roshin. “Raketa” e Kombëtares ka qartësuar të ardhmen e tij duke hedhur zyrtarisht të zezën mbi të bardhë dhe ka rinovuar për 3 vitet e ardhshme me skuadrën e Akhmat Groznit.

Lajmi për rinovimin e tij, u bë i ditur nga vetë faqja zyrtare e klubit në rrjetin social “Twitter” që njofton se Roshi do të jetë pjesë për 3 vite. Këtë sezon, Roshi nuk ishte shumë me fat pasi pësoi një dëmtim të rëndë dhe u detyrua të qëndronte për disa muaj larg fushave të blerta.

“Mesfushori Odise Roshi do të qëndrojë 3 vitet e ardhshme në klub. Palët nënshkruan një kontratë 3 vjeçare. Roshi mbërriti në verën e vitit 2016 ndërsa në sezonin e fundit, për shkak të një dëmtimi ai u aktivizua në vetëm 12 ndeshje”, shkruhej në njoftimin e klubit rus, pjesë e së cilit janë edhe Bekim Balaj e Bernard Berisha. /Erjon Allaraj-VipSport.al/