Radas: Me Teutën vendoset Europa, Takaj këtu se e ka biznesin e tij

Kapiteni i Skënderbeut, Marko Radas, e di që objektivi për të shkuar në Europë nëpërmjet kampionatit, tani që ekipi i dha lamtumirën Kupës ka vetëm një alternativë, atë të fitoreve, sidomos me rivalët direkt. Dueli i parë është pikërisht ndaj një rivali të tillë, Teutës, skuadër e cila është po ashtu në garë me korçarët për atë vend të tretë që të çon në Ligën e Europës.

“Erdhi momenti  final, nesër është finale. Gjithë sezoni varet nga kjo ndeshje. Varet edhe nga dy të tjerat por po nuk fitove nesër është shumë e vështirë. Objektivi që është Europa, nesër e sheh nëse kapet apo jo.

E kemi të vështirë të shënojmë, por po krijojmë rastet. Ky vit është kështu, janë ndikues edhe përqendrimi, besimi, të gjitha bashkë. Nuk kemi humbur besimin se ai është i rëndësishëm në futboll. Kur e humb besimin është e vështira që ta gjesh prapë. Por të gjithë besojmë që nesër do të bëjmë ndryshe”, tha Radas para gazetarëve.

Këto ditë, pranë ekipit ka qëndruar edhe presidenti Ardjan Takaj, i cili ka dashur të motivojë ekipin për këtë duel të veçantë. “Normale nga ai, ka pasur kritikë por edhe shpresë. Normale se e ka biznesin e tij. Z. Takaj është me ne dhe mundohet të karikojë skuadrën në këto ditë, se është shumë më e rëndësishme se ndeshjet e tjera”, tregoi kapiteni rëndësinë e veçantë që kishte kjo ndeshje për ekipin e Skënderbeut. /vipsport.al/