Radas beson se Skënderbeu do të luajë në Europë, por nuk varet vetëm nga KAS-i

“Me dy fitoret që kemi arritur tani në fund, në ndeshjen me Kukësin dhe me Luftëtarin, jemi të kënaqur, sepse mund të kapim Europën”, – ka deklaruar kapiteni i Skënderbeut, Marko Radas, pas ndeshjes së fundit me gjirokastritët në Korçë. Mbrojtësi kroat ka shumë besim se ekipi i tij do të marrë pjesë në Kupat e Europës, por gjithçka varet nga vendimi i KAS-it, si dhe nga fituesi i Kupës.

Korçarët e kanë mbyllur kampionatin, pasi në javën e fundit duhej të ndesheshin me Kamzën e përjashtuar. Me fitoren në tavolinë ata ngjiten në kuotën e 55 pikëve dhe do të presin rezultatet e rivalëve në javën e fundit. Teuta dhe Laçi përplasen mes tyre, kurse Flamurtarin luan në fushën e Tiranës, që lufton për mbijetesë. Ende nuk është e qartë situata me licencimin nga UEFA për disa klube, ndërkohë që korçarët nuk kanë probleme në këtë drejtim.

Nëse Skënderbeu e mbyll kampionatin në vend të katërt dhe merr një përgjigje pozitive nga KAS-i, atëherë duhet të bëjë tifo për Kukësin në finalen e Kupës së Shqipërisë, që të luajë në Europë. Në të kundërt, digjet. Por të gjitha këto janë hamendësi dhe llogari, që nuk varen vetëm nga vendimi i KAS-it. / Vipsport.al