Publikohet lista paraprake me të grumbulluarit, Reja i beson të rinjve dhe eksperiencës

Ashtu siç edhe është bërë e ditur, Edi Reja ka nisur grumbullimin në Durrës dhe ka ftuar disa futbollistë të cilët për momentin janë pushim për shkak se kanë mbyllur sezonin me skuadrat e tyre respektive. Në kompleksin Tropikal, janë grumbulluar 10 futbollistë nga ekipi i parë i Shqipërisë ndërkohë që ka edhe 12 futbollistë të cilët do të jenë pjesë e Shpresave.

Kështu, sot skuadra ka zhvilluar stërvitjen e parë nën drejtimin e Rejas dhe 10 futbollistët do të jenë nën vëzhgim para se të publikohet lista përfundimtare ditën e hënë. Deri të shtunën, Shqipëria do të kryejë stërvitje në kompleksin “Tropikal” aty ku edhe grumbullohet Shqipëria prej kohësh. Në sy bie fakti që ka 3 futbollistë nga Partizani ndërkohë që ka edhe nga të rinj të cilët grumbullohen me Shpresat për herë të parë.

Të shtunën, futbollistët e Shpresave do të largohen nga grumbullimi dhe do të nisin një tjetër grumbullim më pas, aty ku do të jenë nën urdhrat e trajnerit Alban Bushi i cili do të publikojë listën e tij për ndeshjen zyrtare ndaj Turqisë në transfertë dhe dy miqësoret ndaj Uellsit në Shqipëri. /Erjon Allaraj-VipSport.al/