PSG pret përgjigje nga Alegri, zbulohen dy skuadra të tjera të interesuara për të

Masimiliano Alegri nuk do të jetë trajner i Juventusit për sezonin e ardhshëm dhe kjo u konfirmua pak ditë më parë nga klubi bardhezi nëpërmjet një komunikate për shtyp. Kur Juventusi ende nuk e ka emëruar trajnerin e ri për sezonin që vjen, Alegri duket se e ka gjithçka të qartë për të ardhmen dhe ka nisur të punojë me sytë nga sezoni tjetër.

“Tuttosport” raporton se shërbimet e Alegrit i ka kërkuar PSG-ja dhe bëhet fjalë për një kontratë trevjeçare megjithatë, trajneri italian ende nuk e ka thënë fjalën e ti. Ai ka marrë propozimin nga parisienët dhe i ka lënë në pritje të një përgjigjeje e cila mund të vijë më vonë, pasi prioritet për Alegrin duket se janë dy skuadra të tjera.

I njëjti burim raporton se edhe Bajern Mynihu ka shfaqur interes për Alegrin duke qenë se Kovaç nuk iu jep shumë besim për të ardhmen, sidomos në arenën ndërkombëtare. Sakaq, një dëshirë e Alegrit mbetet Reali dhe sidomos pas deklaratave të fundit të dhëna nga Zidan ku kërcënon me largim, pista është përforcuar më shumë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/