PSG nuk i ofron rinovimin Buffon, portieri i jep lamtumirën futbollit

Nuk ka qenë një ndër sezonet më të mira në karrierën  e Xhanluixhi Bufon ky që po lëmë pas. Portieri pas 17 viteve vendosi të jepte lamtumirën Juventusit, por jo futbollit të luajtur edhe pse mosha në pasaportë numëron 41 vjeç. Italiani vendosi të transferohej te PSG, ndërsa pritej të ofronte siguri mes shtyllave të ekipit parisien. Por, sezoni mori një kthesë tjetër në momentin kur Bufon ishte autor i një gabimi në Ligën e Kampionëve ndaj Junajtid, ku francezët u eliminuan.

Tekniku Tuhel filloi t’i besonte gjithnjë gardianit, ndërsa planet fillestare për një rinovim të mundshëm për një tjetër sezon filluan të veniten ditë pas dite. Tashmë, duket se klubi nga Parisi e ka vendosur të mos rinovojë me Bufon, teksa nga Gjermania raportohet se PSG është e gatshme të rikthejë sërish në skuadër, Kevin Trap, i cili është në huazim te Ejntrahti i Frankfurtit.

Në këtë formë ky sezon mund të përkojë me tërheqjen përfundimtare të Bufon nga futbolli, ndërsa në karrierën e gjerë peng mbetet trofeu i Champions League të cilin nuk arriti ta fitonte. Ndërkohë, nëse Bufon vendos të tërhiqet atëherë për të është gati një post drejtues te Juventus, si shenjë mirënjohje për karrierën që ia dedikoi bardhezinjve.