Protagonistët/ Ja formacioni më i mirë i javës së 33 në Kategorinë Superiore

Kur kanë kaluar plot 33 javë nga Kategoria Superiore, më në fund  u njoh matematikisht edhe kampioni i ri i Shqipërisë. Partizani arriti të mundte Tiranën në derbi duke fituar titullin kampion, titull të cilin do ta fitonte edhe në rast se humbiste pasi edhe Kukësi u mund në Gjirokastër.

Natyrisht, pa protagonistët nuk do të kishte emocione dhe ‘VipSport.al’ ka përzgjedhur 11 futbollistët më të mirë të javës që lamë pas, të cilët me paraqitjet e tyre kanë arritur të ndihmojnë skuadrat.

Protagonistët:

Isli Hidi (Teuta)
Nëse Teuta arriti të dilte me 3 pikë nga transferta në Korçë, një meritë të madhe kishte edhe portieri Isli Hidi i cili disa herë ka arritur të tregohet vendimtar duke mbajtur portën e tij të paprekur deri në fund. Ndal gjuajtjet e Bregut dhe te goli i pësuar nuk ka faj.

Lorenc Trashi (Partizani)
Mungesën në derbin e kaluar për shkak kartonësh, Trashi e ka shlyer këtë derbi duke qenë i pakalueshëm në mbrojtje dhe shpesh herë iniciator për skuadrën e tij në repartin e sulmit. Bën një ndeshje mjaft të mirë në derbi.

Egzon Belica (Partizani)
Rikthimi i tij në fushë i ka bërë mirë Partizanit pasi i jep më shumë frymëmarrje. Mbyll shumë aksione me eksperiencën e tij, duke ia lehtësuar jo pak punën Alban Hoxhës dhe shpesh herë mbyll hapësira edhe të lëna nga të tjerët.

Erlis Frashëri (Teuta)
Vendosja e tij në mbrojtje i jep më shumë siguri bregdetarëve dhe bën një punë të mirë duke thyer disa aksione të sulmit korçar. Mundohet të nisë skuadrën para dhe është vendimtar në fushën e blertë duke ndihmuar skuadrën në 3 pikët e marra.

Julian Shehu (Kastrioti)
Realizon një gol për kornizë ndaj Flamurtarit duke i lehtësuar punën shokëve të skuadrës. Nxjerr të vetëm përballë portierit njërin nga shokët dhe shpesh herë mundohet të sulmojë duke rrezikuar portën e Qirkos në disa raste.

Donald Rapo (Luftëtari)
Sa në sulm, aq edhe në mbrojtje. Për të disatën herë, Rapo është nga më të dalluarit në fushë dhe arrin të shënojë në minutat e fundit duke i dhënë skuadrës së tij 3 pikë të arta. Krijon të tjera raste për shokët e skuadrës.

Dilaver Duka (Partizani)
Duka ka vazhduar të tregojë se nuk ishte një insistim i kotë ai i Gegës për ta marrë në skuadër. I qetë në fushë dhe shpesh herë krijon mundësi të rrezikshme për Partizanin. Mbron mirë dhe duket si truri i mesfushës me mungesën e Telushit.

Anxhelos Hanti (Luftëtari)
Përfiton nga një pasiguri në mbrojtje dhe kalon skuadrën e tij në avantazh në minutat e para, ndërkohë që në vazhdim ka mundësi të tjera për të shënuar. Rrezikon portën e Frashërit dhe jep pasime të mira për shokët e skuadrës.

Erald Çinari (Partizani)
Heroi i derbit! Me dy golat e tij ndaj Tiranës i jep të kuqve një tjetër fitore në derbi por këtë radhë me peshë më të madhe, i jep edhe titullin kampion. Dy golat e shënuar janë pasqyrim i një loje mjaft të mirë të zhvilluar.

Uilliam Kordeiro (Kukësi)
Arrin të shënojë një supergol duke dribluar dy kundërshtarë, por nuk e eviton humbjen e skuadrës së tij. Gjithmonë kur merr topin në të majtë, rrezikon shumë për skuadrën e tij, megjithatë goli mbetet gjëja më e bukur e ndeshjes.

Roxher Xhunior (Kastrioti)
Ashtu si edhe në shumë raste të tjera këtë sezon, Roxher arrin të lërë gjurmë në këtë kampionat duke realizuar një gol mjaft të bukur ndaj Flamurtarit. Pasi driblon dy herë portierin Qirko, e çon topin në rrjetë duke e filtruar mes disa mbrojtësve dhe vulos fitoren për skuadrën e tij. /VipSport.al/