Pret ftesën nga Edi Reja, mbrojtësi del në stërvitje me klubin dhe pse ka mbaruar sezoni

Kastriot Dermaku duket se është i bindur që do të jetë pjesë e përfaqësuese shqiptare për grumbullimin e parë nën urdhrat e trajnerit Edi Reja. Futbollisti i Kozencës, ndonëse ka mbaruar sezoni për skuadrën e tij në Serinë B, vazhdon të stërvitet në ambientet e klubit derisa të marrë njoftimin përkatës nga FSHF.

Mediat italiane bëjnë të ditur se Reja ka ndjekur nga afër paraqitjet e lojtarit në ndeshjet e fundit të kampionatit dhe po e monitoron me kujdes mbrojtësin që kërkohet nga klube të ndryshme në Serinë A.

Kjo ka shtyrë Dermakun që të qëndrojë në stërvitje këto ditë edhe pse mund të bënte disa ditë pushime. Bashkë me përgatitësin atletik të klubit të Kozencës, ai ka dalë çdo ditë në stërvitje gjatë kësaj jave, për të mbajtur veten në formë derisa të nisë grumbullimi i kuqezinjve.

Në fakt, duket i çuditshëm fakti që Dermaku ka zgjedhur të bëjë këto përgatitje te klubi i Kozencës, duke pasur parasysh se në fund të qershorit i përfundon kontrata me të dhe do të jetë një futbollist i lirë. Ai ka refuzuar ofertën që i është bërë për të rinovuar marrëveshjen e tij me këtë skuadër, pasi kërkon të luajë në Serinë A. /vipsport.al/