Presidenti i Juventusit, Anjeli : Ky ishte vendimi më i dhimbshëm që kam marrë në drejtimin e klubit

Në konferencën e lajmëruar ditën e sotme nga klubi i Juventusit, për largimin e trajnerit Masimiliano Alegri, ishte prezent edhe presidenti i bardhezinjve, Andrea Anjeli. Presidenti e pranoi se ky ishte vendimi më i dhimbshëm që ka marrë prej kohës kur drejton klubin, ndërsa nuk preferoi të fliste për emrat e ndryshëm që qarkullojnë për postin e lënë bosh nga tekniku Alegri.

“Nuk do t’i përgjigjem asnjë pyetje rreth trajnerit të ri. Është ende shpejt të flasim por mbi të gjitha jemi këtu për të falënderuar trajnerin Alegri sepse ka bërë histori në këtë klub. Menduam se ky ishte momenti i duhur për të mbyllur ciklin. Personat inteligjent e kuptuan se ky nuk ishte rasti për të vazhduar para. Mbetet për t’u parë nëse do të jetë zgjedhja e duhur. Zgjedhjet bëhen vetëm për të mirën e klubit, kanë kaluar shumë presidentë, trajnerë, lojtarë dhe magazinierë.

Kjo është historia e Juventusit që do të jetë gjithnjë më e madhe se e të gjithëve. Për ekipin e sezonit tjetër duhet të pyesni drejtorin sportiv, Paratiçin. Besoj, se ky ishte vendimi më i dhimbshëm prej kohës kur kam marrë drejtimin e klubit”, tha Anjeli.

/EgiCabeli-VipSport.al/