Premtimi i çmendur i Lukas Bilja: Bëj 40 kilometra në këmbë nëse shkojmë në Champions

Lukas Bilja është gati të bëjë gjithçka vetëm që të kthehet përsëri në Ligën e Kampioneve. Mesfushori argjentinas u transferua te Milani nga Lacio me shpresën që të luante rregullisht në aktivitetin më të rëndësishëm për klube, por edhe në këtë sezon sheh të largohet nga ky objektiv dhe i duhet një mrekulli në ndeshjet e fundit të Serisë A për të siguruar vendin e katërt në renditje.

Lojtari është gati të bëjë sakrificë për të arritur këtë objektiv dhe ka bërë një premtim të çmendur që do të realizojë nëse ekipi i tij do të realizojë mrekullinë dhe të sigurojë praninë mes katër më të mirëve.

“Ne në Argjentinë bëjmë pelegrinazhe. I imi është i gjatë 40 kilometra, që është rruga për të shkuar nga shtëpia ime te një kishë. Unë e kam premtuar, nëse do të arrinte Liga e Kampioneve, do ta bëja këtë pelegrinazh në këmbë pasi të jem kthyer nga pushimet me familjen time. Do të bëj një video nëse ia dalim dhe do të jemi të lumtur ta bëjmë një gjë të tillë”, tha ai /vipsport.al/