Pezullimi i Raiolës bën lëmsh gjithë Europën, 500 milionë euro talent mbetet në ajër

Të gjithë e dinin që menaxherët kanë shumë fuqi në futbollin aktual, por pakkush e mendonte se pezullimi i një prej emrave të njohur të këtij profesioni do të mbante pezull thuajse gjithë merkaton e Europës, duke penalizuar transferime të cilat kapin shifra të frikshme. Pezullimi i Mino Raiolës nga FIFA do të mbajë peng disa nga transferimit më të bujshme që ishin planifikuar këtë verë, pasi klubet përballen me sanksione nëse kontaktojnë apo veprojnë nëpërmjet menaxherit të njohur italian.

Pezullimi i tij do të mbyllet më datë 9 gusht dhe kjo e bën thuajse të pamundur që ai të transferojë lojtarë në Angli, pasi dritarja e merkatos mbyllet një ditë para përfundimit të dënimit. Kësisoj, deri atëherë do të jenë të bllokuar një seri emrash shumë të njohur, të cilët “Daily Mail” i ka rreshtuar në një listë duke treguar edhe situatën e gjithsecilit në këtë verë që mund të jetë e ndryshme për ta.

Pol Pogba – Francezi është në ndjekje të një transferimi te Real Madrid në verë dhe Raiola kishte filluar kontaktet e para për të siguruar largimin nga Mançester Junajtid. Transferimi mund të dështojë pasi Raiola nuk përfshihet dot në bisedime për të siguruar shifrën prej 160 milionë paund që kërkojnë anglezët për shitjen e futbollistit.

Marko Verrati – Ky është ndoshta i vetmi nga emrat e madhen që menaxhohet nga Raiol që nuk duket se do të lëvizë dhe është shumë i lumtur te PSG. “Do të qëndroj”, konfirmoi ai pak javë më parë. Sigurisht gjithçka mund të ndodhë nëse konfirmohen zërat se sheikët janë pranë largimit nga Parisi.

Mathijs De Ligt – Aktualisht një nga emrat më të kërkuar në Europë, kapiteni i Ajaks mendohej se do të transferohej te Barcelona në verë. Por gjithçka është në vendnumëro me bllokimin e menaxherit të tij dhe tashëm pritet të mësohet nëse katalanasit si dhe vetë klubi i tij, janë gati të presin gushtin për të formalizuar gjithçka. “Do shkojë në Angli ose Spanjë”, tha pak ditë më parë Van Der Sar, shefi i klubit të Ajaksit. Pa Raiolën, De Ligt duket se do të vazhdojë të jetë pjesë e holandezëve.

Xhanluixhi Donaruma – Nëse Milani nuk kualifikohet në Ligën e Kampioneve, nuk është çudi që Raiola të kërkojë të sigurojë transferimin në një klub tjetër për portierin e talentuar si çdo vit, për të negociuar pastaj përmirësimin e zakonshëm të kontratës me kuqezinjtë. Këtë herë, milanistët mund të rrinë të qetë deri në gusht.

Kostas Manolas – Mbrojtësi i Romës është kthyer në një nga emrat më të kërkuar në merkato edhe për faktin se ka një klauzolë largimi prej 35 milionë eurosh në marrëveshjen e tij me klubin. Juventus e Mançester Junajtid janë gati ta paguajnë, thjesht duhet të presin tashmë përfundimin e pezullimit të menaxherit.

Blais Matuidi – Ky është viti i funti i kontratës së mesfushorit francez me Juventusin dhe këtë verë duhet diskutuar rinovimi, ose bardhezinjtë do ta humbasin me parametër zero në vitin e ardhshëm. Fakti që pezullimi i Raiolës përfundon pas mbylljes së merkatos në Angli, komplikon gjërat pasi atje ai kishte më shumë treg.

Henrikh Mkhitarjan – Ashtu si Verrati, edhe lojtari duket i lumtur te Arsenali dhe nuk mendohet se do të lëvizë në verë, sidomos tani që Raiola është me pushime të detyruara.

Mario Balotelli – Për sa kohë që sulmuesi nuk bën ndonjë budallallëk nga ata të zakonshmit te klubi i Olimpik Marsejës të cilit iu bashkua në janar, mund të rrijë i qetë në verë pa shqetësuar Raiolën.

Moise Kin – Sulmuesi nuk ka ndër mend të lëvizë nga Juventusi, por derisa të përfundojë pezullimi i menaxherit të tij, do të mbetet në vendnumëro rinovimi dhe përmirësimi i marrëveshjes që ka me klubin e cila aktualisht skadon në vitin 2020.

Xhastin Klaivert – Djali i Patrik Klaivert iu bashku Romës vitin e kaluar dhe pritet të qëndrojë atje edhe në vijim. Viti i parë ishte për ambientim në Itali, tani pritet i dyti ku ai të tregojë vlerat reale ndaj Raiola do të ketë një telash më pak gjatë kësaj vere. /vipsport.al/