Pejiç kujton titullin me Dinamon: 17 Maji nuk përsëritet më, Partizani e ka titullin në “xhep”

17 Maji i vitit 2008 ekziston ende në memorien e tifozëve të Partizanit për mënyrën se si u humb titulli. Partizanit i duhej fitorja në atë finale me Dinamon që ishte më afër titullit pasi kishte dy rezultate në favor, barazimin dhe fitoren. Në gjykimin e italianit Tagliavento, të kuqtë dhe blutë hynë ne një finale me një “Selman Stërmasi” të tejmbushur. Dinamo shënon me Kulin pas një penalltie të fituar nga Pero Pejiç dhe Osmani ve heshtjen pasi shënon dhe barazon. Por nuk mbaron këtu…. Në të 93-tën minutë ndonëse me dy lojtar me pak Dinamo realizon golin e titullit. Asist i Pejiçit dhe Ferrah atëherë një 21-vjeçar shënon golin e dytë…. Partizani dhe te kuqtë në lot, festë te blutë. Por sot atmosfera është shumë ndryshe, Partizani tashmë e ka titullin në “xhep” madje ky sezon i dominuar totalisht me meritë nga skuadra e Skënder Gegës nuk ka se si të mos mbyllej pa rikthimin për më shumë se dy dekadash te trofeu më i rëndësishëm….Pero Pejiç e mban mirë atë finale të 17 majit, ashtu sikur ndjek edhe aktualisht Superioren madje duke qenë në stadium në disa ndeshje të Partizanit. Në një intervistë ekskluzive për “VipSport”, Pero Pejiç flet troç për titullin por edhe finalen e 17 majit…

-Pero, po mbyllet një sezon në Superiore ku Partizani po shkon drejt titullit. Dikur ia keni hequr titullin

-Jo, unë kam bërë më të mirën si sulmues i Dinamos. Më kujtohet shumë mirë ajo periudhë madje ka edhe tifozë të Partizanit të cilët në kryeqytet më ngacmojnë me shaka. Kur titulli vendoset në finale është e vështirë ta humbasësh. Ka qenë një ndeshje e madhe.

-Për ju ishte titulli i parë këtu dhe morët famë atë sezon…

-E vërtetë ka qenë një sezon shumë i mirë rivalizonim me Partizanin  madje kishte momente që të kuqtë u afruan shumë me titullin na dukej ne të Dinamos sikur e humbnim trofeun. Por besuam deri në fund ja dolëm. Edhe me 9 lojtarë…

 

-Po Partizani i këtij sezoni e rrezikon titullin?!

-Jo aspak madje e kam ndjekur Partizanin ka një ekip shumë të mirë ka grup dhe jo individë. Edhe atë sezon të kuqtë kane luajtur shumë mirë por unë r kam ndjekur këtë kampionat nga jashtë dhe jo në fushë.

– Tashmë një analizë si trajner duke qenë se e ke ndjekur kampionatin dhe ke luajtur për thuajse gjysmën e ekipeve.

-Unë kam luajtur me Dinamon, Tiranën, Skënderbeun, Kukësin, Flamurtarin në nivele të larta dhe kam fituar trofe. I kam parë me kujdes ekipet e tjera dhe realisht Partizani ka qenë më lartë sepse ka qenë më i kujdesshëm tërë sezonin. Unë mendoj se kurrë nuk e ka vënë në diskutim titullin. Nuk e ka fajin Partizani që Kukësi gaboi në fillim të sezonit apo Skënderbeu e Tirana apo Flamurtari kanë problemet e veta… Partizani fitoi në çdo ndeshje dhe është këtu ku është

-Nesër është derbi Partizani-Tirana cili është opinioni juaj?

-Do ta ndjek ndeshjen sepse tashmë po shoh edhe ndonjë element të talentuar që në Shqipëri ka shumë. Me vjen keq që nuk kam luajtur derbi sepse kur unë kam qenë pjesë e Tiranës, Partizani ka qenë në Kategorinë e Parë. Por do të jetë një ndeshje e madhe. Edhe derbi që unë kam luajtur si pjesë e Dinamos ka qenë superndeshje sikur luanin kombëtaret.

-Kush e fiton derbin?!

-Ajo skuadër që do të përballojë presionin e minutave të para. Partizani do të synojë fitoren për të festuar titullin dhe një titull në derbi për tifozët e Tiranës apo Partizanit do të thotë një ekzaltim maksimal pasi do të mbetet pjesë e historisë….

Intervistoi, Erjon Saliu