Pas firmës, Papa për “VipSport”:Kampionat trampolinë, tani kam synim Kombëtaren

Enriko Papa firmosi kontratën e re dhe rinovoi edhe për dy sezone në radhët e skuadrës së Botosanit, ndërsa mesfushori tregon edhe synimet që ka në të ardhmen. Në një intervistë që ka dhënë për “VipSport”, Enriko Papa që ka një karrierë të pasur edhe në Superioren tonë tregon edhe synimin e karrierës, që është fanella kuqezi e kombëtares…

-Papa, kishit disa oferta por rinovuat në Rumani? Pse kjo zgjedhje?

Të them të drejtën, ishte sezoni i parë për mua te Botosani dhe në aspektin personal mendoj se kam bërë mirë, pasi kam luajtur titullarë. Kam shënuar edhe 1 gol. Klima ka qenë pozitive, sidomos në pjesën e dytë të sezonit që kam qenë edhe më shumë i ambientuar në këtë ekip…

-Cilat ekipe ju kanë kërkuar?

Mund t’iu them se kam pasur oferta nga Rumani, Arabia. Por, tashmë që jam i Botosanit ato kanë pak rëndësi. Mendoj se kam bërë zgjedhjen e duhur. Viti i parë ishte për ambientim dhe duke filluar që nga sezoni i ardhshëm, unë kam besim se do të jem akoma më mirë unë dhe skuadra.

-Si është kampionati rumun?

Ka rivalitet, ka kualitete dhe impiante shumë të mira. Mendoj se do të më shërbejë si një trampolinë, për më tej në karrierën time ku synimet janë akoma më të mëdha.

-Cilat janë synimet e Papës në të ardhmen?

Dua që të luaj sa më shumë me Botosanin dhe të kap Kombëtaren. Kam besim se do t’ia dal. Tashmë që po luaj dhe jam protagonist në çdo ndeshje me asiste, apo dhe duke qenë një nga lojtarët e ndeshjes, kjo disa herë këtë sezon, kam besim se do e meritoj edhe një fanellën kuqezi.

Intervistoi: Erjon Saliu/Vipsport.al/