Paradoksi te Luftëtari/ Kanë muaj që nuk paguhen, klubi premton rroga për të pezulluarit

Luftëtari ka siguruar praktikisht qëndrimin në Superiore megjithëse ende jo matematikisht, por kjo duket se nuk është e mjaftueshme. Humbja në Kupë ndaj Tiranës, i ka kushtuar rëndë trajnerit Julian Ahmataj dhe zv.trajnerit ndërkohë që edhe dy futbollistët, Xhekson Ferreira e Albano Aleksi janë pezulluar për një afat dyjavor.

Ky do të jetë dënimi i vetëm për 4 personat të cilët shihen si përgjegjës për humbjen që Luftëtari pësoi në Kupë ndaj Tiranës me rezultatin 5-3. Sakaq, atyre u është premtuar se do të marrin rroga të plota pavarësisht gjithçkaje dhe do të paguhen njëlloj si pjesa tjetër e skuadrës, por në fakt këtu ka diçka që nuk shkon.

‘VipSport.al’ ka mësuar nga burime pranë klubit se futbollistët nuk paguhen prej 4 muajsh dhe mbahen vetëm me premtime por ende nuk ka një shpërblim për ta edhe pse kanë siguruar mbijetesën që deri para pak kohësh shihej vetëm si një iluzion. Mbetet të shihet vetëm si do të zgjidhet problemi i pagave në Gjirokastër, nëse realisht do të paguhen të gjithë, apo do të mbeten pa rroga edhe shumë kohë të tjera kur kemi hyrë në javët e fundit të kampionatit.

“Nga ana jonë janë pezulluar për një afat dy javor, trajneri Julian Ahmataj si dhe zv. trajneri Neritan Novi. Gjithashtu për një afat dy javor janë pezulluar edhe futbollistët Albano Aleksi dhe Jackson Ferreira Silverio.

Klubi i futbollit Luftëtari, nuk mund të tolerojë kurrsesi paraqitje si ajo përballe Tiranës në ndeshjen gjysmëfinale të Kupës, ku skuadra u shthur totalisht duke pësuar gola dhe një humbje të pa përtypshme.

Luftëtari bën me dije se për trajnerët apo lojtarët e pezulluar nuk do të ketë masa financiare, duke i paguar ata rregullisht si gjithë pjesa tjetër e skuadrës”, shkruhej në komunikatë. /VipSport.al/