Nuk ka më besim klubi, largohet nga Levante njeriu që transferoi Armando Sadikun

Armando Sadiku arriti të bënte një transferim të bujshëm pak kohë më parë, duke lënë Legian e Varshavës për t’u transferuar në kampionatin spanjoll te Levante. Ky transferim u bë i mundur nga drejtori sportiv Tito, i cili ngulmoi të transferonte Sadikun në Spanjë megjithëse ky i fundit dështoi duke mos treguar vlerat e tij, e sidomos pas dëmtimit.

Në fakt, Sadiku nuk është futbollisti i vetëm që ka dështuar te Levante pasi shumë futbollistë të tjerë janë larguar pa lënë shumë gjurmë. Kjo ka bërë që drejtuesit të mos i rinovojnë kontratën drejtorit sportiv duke e larguar nga skuadra dhe tashmë janë vënë në kërkim të një drejtori tjetër sportiv.

Disa nga goditjet e Titos në merkato, janë Joze Kampana, Ruben Rokina, trajneri Pako Lopez dhe Enis Bardhi që po shkëlqen në kampionatin spanjoll dhe kërkohet nga shumë klube në Europë. Ky ishte sezoni i tretë i Titos si drejtor sportiv i Levantes dhe më të shumta kanë qenë sukseset sesa dështimet megjithatë nuk janë bindur në klub. /Erjon Allaraj-VipSport.al/