Nuk ka falje për Baren, dënohet për të mos luajtur ndaj rivalit që nuk do harrojë kurrë

Ankimimi i klubit të Malagas për kartonin e kuq që mori Keidi Bare ndaj Oviedos kanë qenë të kota, pasi sot Federata Spanjolle ka dhënë ndëshkimin për futbollistin, edhe pse minimal. Klubi pretendonte se me mosplotësimin e rregullt të protokollit, masa e dhënë nga gjyqtari i sfidës duhej anuluar, siç kishte ndodhur në raste të tjera më parë në këtë kampionat.

Por komisioni disiplinor e ka cilësuar si shkelje atë të Bares i cili në një përplasje loje, goditi me takë një kundërshtar dhe u ndëshkua për “përdorim të tepruar force”. Gjithsesi, ai është interpretuar si një faull normal loje dhe për këtë arsye, Bare është ndëshkuar me vetëm një ndeshje pezullim, atë që i takon për kartonin e kuq që mori.

Kësisoj, ai do të mungojë për ndeshjen e radhës të skuadrës së tij në kampionat, ku Malaga vazhdon të synojë ngjitjen në elitë. Ajo është ndaj një rivali që Bare vështirë se do ta harrojë ndonjëherë, Real Saragozës. Pikërisht ndaj kësaj skuadre në fazën e parë ai luajti ndeshjen e tij të parë si titullar te Malaga, duke lënë përshtypje shumë të mira e duke bërë më pas që me kalimin e kohës të kthehej në një element të rëndësishëm për klubin spanjoll. /vipsport.al/