Nuk është i bindur për ecurinë me trajnerin, sulmuesi i Junajtid shtyn rinovimin

Markus Rashford për momentin ka shtyrë negociatat për të rinovuar kontratën, teksa tashmë e ardhmja e tij te Djajtë e Kuq është në dyshim. Sulmuesi nuk është i bindur për vazhdimësinë me trajnerin Ole Gunar Solskjaer. Tekniku e nisi me shkëlqim aventurën me klubin ku është aktivizuar edhe si lojtar, por në ndeshjet e fundit erdhi një zbehje e performancave duke mos arritur të kualifikohen as në Ligën e Kampionëve.

Edhe fakti se kanë mbetur jashtë një prej kompeticioneve më të rëndësishëm europiane është një shtysë më shumë për Rashford për të dëgjuar ofertat nga klubet e tjera, ndërsa nuk ka munguar interesimi edhe nga ana e Barcelonës. Sakaq, në këto ujëra qëndron gjithashtu portieri David De Gea.

Spanjolli për momentin ka ndalur bisedimet mbi rinovimin, ndërsa në këtë mes kanë pasur ndikim edhe disa gafa të portierit në sfidat e fundit. Merkato verore duket se do të jetë e nxehtë për Junajtid të cilët mund të përballen me disa largime të rëndësishme nga organika e skuadrës.

/EgiCabeli-VipSport.al/