Notat e shqiptarëve sipas “Eurosport” / Strakoshës i kalojnë “djersë të ftohta”, Gjimshiti më i dobëti

Finalja e Kupës së Italisë ka parë dy shqiptarë si protagonistë në fushë me skuadrat përkatëse e në fund Thomas Strakoshën si fitues të trofeut me Lacion e Berat Gjimshitin që largohej me medaljen e  vendit të dytë për Atalantën.

Sipas “Eurosport”, paraqitjet e të dy futbollistëve kanë qenë krejtësisht të ndryshme, pasi portieri ishte i saktë në momentin e vetëm që iu desh të ndërhynte, ndërsa mbrojtësi kishte gabuar në vazhdimësi, duke rezultuar lojtari më i dobët i sfidës.

“Berat Gjimshiti 4,5 – Shumë gabime, sidomos në pjesën e dytë ku gradualisht arrin të humbasë toruan. Një rrëshqitje e tij e bujshme arrin të shpëtohet në momentin e fundit nga Palomino, por pastaj humb duelin ajror me Milinkoviç-Saviç, i cili nuk fal”, shkruhej për paraqitjen e mbrojtësit nga portali i rrjetit të njohur.

“Thomas Strakosha 6 – I kalojnë djersë të ftohta kur De Ron godet shtyllën. I aftë për t’i thënë “jo” Kastanje në fillimin e pjesës së dytë, e vetmja pritje e ndeshjes së tij”, shpjegon “Eurosport” notën që i ka vënë portierit shqiptar. /vipsport.al/