Një tjetër “qiraxhi” në stadiumin e Kamzës, Korabi pret Dinamon ditën e shtunë

Kamza është përjashtuar nga aktivitetet, por stadiumi i saj nuk ka mbetur bosh. Përkundrazi, për të ka shumë kërkesa kohët e fundit. Pas Kukësit, që vendosi t’i zhvillojë në Kamzë ndeshjet e fundit, është Korabi që do të luajë këtu si pritës.

Klubi dibran ka bërë me dije në faqen zyrtare se ndeshjen me Dinamon do ta zhvillojë në stadiumin e Kamzës, pasi fusha në Peshkopi është në gjendje të keqe. Po ashtu, bëhet me dije se hyrja për tifozët do të jetë e lirë. Korabi ka përfituar nga fakti që Kukësi nuk luan këtë fundjavë, kur duhej të ndeshej me Kamzën e përjashtuar.

 

Ja dhe njoftimi i klubit dibran:

Për shkak të gjendjes jo të mirë të tapetit në stadiumin e Peshkopisë, klubi ka rënë dakord me Bashkinë Kamëz që ndeshjen kundër Dinamos ta luajë në stadiumin e Kamzës. KF Korabi fton tifozët që të jenë të pranishëm për të ndjekur nga afër takimin. Hyrja do të jetë e lirë. KF Korabi-FK Dinamo / E Shtunë / 04.05.2019 / Ora 17:00′