Një telash më shumë për Kukësin, verilindorët pa kontrata në finalen e Kupës së Shqipërisë

Ditën e djeshme Kukësi mposhti me rezultatin 1-3 në Korçë, Skënderbeun, për të siguruar një biletë për në finalen e Kupës së Shqipërisë. Të besuarit e trajnerit Ernest Gjoka, kishin triumfuar edhe në sfidën e parë, megjithatë nuk nënvlerësuan dhe koleksionuan një tjetër fitore.

Ndërkohë, finalja është vendosur për t’u zhvilluar më datë 2 qershor në stadiumin ‘Elbasan Arena’. Deri këtu nuk ka asgjë të dyshimtë, por është për t’u theksuar se disa prej futbollistëve iu mbaron kontrata në fundin e muajit maj dhe në fillim të qershorit do të jenë lojtarë të lirë.

Një nga këta është sulmuesi Artur Rexhinaldo, i cili është një hallkë e rëndësishme në repartin e sulmit për verilindorët. Megjithatë, mbetet për t’u parë se si do ta zgjidhë klubi kuksiane këtë situatë, ndërsa Kupa e Shqipërisë është një objektiv i rëndësishëm i skuadrës dhe trajnerin Gjoka për të mos dalë duarbosh nga ky sezon.