Një ndeshje mes racizmit, Atletiko Madrid bie para skuadrës ku shqiptari theu çdo tabu

Pas mbylljes së kampionateve, shumë skuadra kanë nisur të mendojnë për sezonin e ardhshëm dhe nuk kanë preferuar që të bëjnë asnjë ditë pushim. Kështu, Atletiko Madridi ka udhëtuar në transfertën e largët të Izraelit, aty ku ka zhvilluar një ndeshje miqësore ndaj Beitar Jeruzalemit duke u mundur me rezultatin e ngushtë 2-1.

Beitar njihet si një nga skuadrat më raciste në Izrael dhe një nga rregullat e tifozerisë është që në skuadër nuk lejohen futbollistët arabë dhe ato myslimanë duke qenë se konsiderohen të padenjë për të veshur fanellën e Beitarit. Në fakt, ndër të parët që kanë thyer këtë tabu, ka qenë pikërisht një shqiptar.

Në vitet ’90, Viktor Paço ka qenë një nga sulmuesit e parë të huaj që luante në Izrael me Beitarin duke thyer një nga tabutë. Ai ishte ndër futbollistët më të mirë që kjo skuadër ka pasur dhe ka shëtitur në disa skuadra izraelite duke u rikthyer sërish te Beitar ku në total ka zhvilluar 65 ndeshje dhe ka shënuar 21 gola. /Erjon Allaraj-VipSport.al/