Nica: Mos e nënvlerësoni Kategorinë e Dytë, pas ngjitjes duam edhe titullin!

Stavri Nica është nga ata trajnerë për t’u vlerësuar i cili po sfidon moshën dhe si një profesionist i vërtetë zgjodhi që të shkojë e të punojë në Devollin e largët, pikërisht në një periudhë kur skuadra ishte larg vendit të parë në Grupin B të Kategorisë së Dytë dhe në luftë për t’u ngjitur ishin ekipet e Shkumbinit, Maliqit, por edhe Albpetrolit.

Trajneri durrsak i pëlqen sfidat dhe zgjidhi që të punojë në Devoll pa pasur aspak komplekse, por i joshur natyrisht edhe nga projekti i drejtuesve vendas. Tashmë që skuadra është në vend të parë, Nica nuk ngurron të analizojë dhe të flas edhe për garën e Kategorisë së Dytë, por edhe mënyrën se si konceptohet ky kampionat.

“I kam provuar të tria Kategoritë, personalisht unë që kam stërvitur shumë ekipe. Gjykohet gjithmonë se kur je në kategorinë inferiore punohet më pak dhe në stërvitje vjen rrallë. Por tek ne kjo nuk ndodh dhe ky fenomen duhet që të bjerë poshtë. Profesionistët janë profesionistë dhe puna është punë si në Kategorinë e Dytë e si në Superiore. Duhet që të kërkosh sa më shumë. Kjo nuk është vetëm në dorën time, por edhe të drejtuesve dhe lojtarëve”.

“Ne jemi drejt ngjitjes dhe shpresoj që në Kategorinë e Parë të mos prishet ky grup shumë simpatik që ka treguar se luan shumë mirë dhe punon me shumë seriozitet. Fillimisht duhet që të sigurojmë matematikisht ngjitjen direkt, pastaj titullin kampion. Unë kam një parim, ndeshjet i marr një e nga një. Gradualisht shkojmë te më e mira të gjithë së bashku”, – tha trajneri i Devollit, Stavri Nica.

Kujtojmë që për këtë sezon, devollinjtë janë i vetmi ekip që nuk e kanë provuar shijen e humbjes duke vendosur një rekord më vete për Kategorinë e Dytë, por edhe për të tria ligat profesioniste në futbollin shqiptar.

E.S./Vipsport.al/