Nga trajneri te mbrojtësi i qendrës, Juventus kërkon brazilianin e PSG

Në këto ditë drejtuesit e Juventusit janë fokusuar te zëvendësimi i Masimiliano Alegrit. Për stolin e bardhezinjve po përmenden shumë emra, megjithatë ende nuk ka konfirmime nga ana e klubit. Por, ndërkohë drejtuesit nuk kanë harruar merkaton teksa dihet nevoja e Juventusit për një mbrojtës qendre, pasi Barxalji u tërhoq nga futbolli i luajtur, ndërsa Kaseres do të largohet.

Objektivat e Zonjës së Vjetër në këtë rol janë të shumtë, teksa De Ligt duket i paarritshëm, Juventusi ka hedhur vështrimin nga braziliani Markinjos i PSG. Mbrojtësi ka kontratë deri në vitin 2022 me francezët, ndërsa ka një vlerë prej 60 milionë eurosh. Megjithatë, ajo çka mund të bëjë diferencën në këtë tratativë është pëlqimi i PSG për Miralem Pjaniç.

Në rast të një oferte të mirë, Juventusi është i gatshëm të heqë dorë nga boshnjaku. Klubi italian e vlerëson kartonin e Pjaniç 80 milionë euro. Duket se aksi Torino-Paris do të sjellë shumë lëvizje pasi Markinjos është kthyer në objektiv konkret të Juventusit.

/EgiCabeli-VipSport.al/