Nga dështim në protagonist, mbrojtësi i Kombëtares në formacionin e vitit

Merkatoja e verës së shkuar, ishte mjaft e nxehtë për mbrojtësin e Kombëtares, Ivan Balliu i cili nuk ishte në planet e skuadrës së tij dhe po shihte për një ekip tjetër te i cili mund të transferohej. Duke qenë se këtë skuadër nuk e gjeti, ai qëndroi dhe iu dhanë disa minuta por me paraqitjet e bëra, arriti të kthehej në protagonist duke luajtur çdo ndeshje.

Paraqitjet e Balliut, kanë marrë vlerësime nga mediat franceze të cilat e kanë përfshirë mbrojtësin kuqezi në formacionin më të mirë të sezonit në Ligue 2 në Francë. Skuadra e Metzit me të cilën aktivizohej Balliu, arriti të siguronte ngjitjen në Ligue 1. Pavarësisht këtij promovimi, Balliu i ka dhënë fund aventurës me Metzin dhe tani do të shohë për një tjetër skuadër.

Pak kohë më parë, Balliu u kthye në çështje edhe te Shqipëria pasi në dy raste, Kristian Panuçi i dërgoi ftesën me vonesë dhe klubi i Metzit nuk pranoi që ta linte duke u justifikuar se ka shkuar me vonesë. Në këtë mënyrë, në dy ndeshje Balliu ka qenë vetëm tifoz. /Erjon Allaraj-VipSport.al/