Negociatat Juventus-Alegri kthehen në telenovelë, nesër episodi i tretë

Askush nuk di të thotë nëse Masimiliano Alegri dhe Juventusi do të vazhdojnë apo jo bashkëpunimin mes tyre. Ndonëse prej dy ditësh palët janë takuar vazhdimisht në ambientet e klubit dhe jashtë tij, diskutimet për rinovimin apo “divorcin” mes palëve janë kthyer në një telenovelë të mirëfilltë, pasi takimet e dy ditëve nuk kanë mjaftuar për të arritur në një konkluzion dhe është caktuar një tjetër mbledhje për ditët në vijim.

Alegri e Anjeli u takuan të mërkurën në darkë bashkërisht ndërsa sot për rreth një orë ishin në zyrat e klubit edhe në praninë e Paratiçi dhe Nedved, duke folur për kërkesat e të dy palëve dhe planet e klubit. Mediat italiane raportojnë se trajneri ka bërë të qartë që kërkon një rritje rroge për të ardhmen si dhe një rinovim trevjeçar, duke zënë ngushtë bardhezinjtë të cilët nuk shohin alternativa cilësore të lira në qarkullim pasi Antonio Konte nuk bind presidentin Anjeli.

Si rrjedhojë, diskutimet do të vazhdojnë nesër, pas stërvitjes së paradites, ku me shumë mundësi do të merret edhe vendimi përfundimtar për vijimësinë apo jo të teknikut aktual në skuadrën të cilën e ka dërguar deri në finalen e Ligës së Kampioneve 2 herë gjatë këtyre 5 sezoneve në të cilat ka fituar thuaje pa vështirësi titullin kampion në Serinë A. /vipsport.al/