Në Shkodër përgatiten për festën e rikthimit, klubi jep lajmërimin për tifozët

Vllaznia e ka siguruar ngjitjen në Superiore, ndërsa të shtunën, ekipi shkodran do të zhvillojë ndeshjen e fundit të fazës së tretë të kampionatit, atë ndaj Erzenit. Por, në Shkodër duket se do të bëjnë festë, ndryshe si ndodhi vjet me Tiranën që rikthimin në Superiore e kaloi në heshtje.

“Takimi do të luhet në stadiumin “Loro Boriçi” në orën 16:00 dhe sigurisht që skuadra jonë do të kërkojë ta mbyllë me fitore këtë fazë. Stafi teknik nuk do të ketë në dispozicion vetëm mesfushorin- sulmuesi Silvio Zogaj i cili është i penalizuar me kartonë, ndërsa pjesa tjetër e lojtarëve është e gatshme.

Në përfundim të ndeshjes, FSHF do të zhvillojë edhe ceremoninë e dorëzimit të kupës për ekipin tonë si kampion i Grupit A për këtë sezon. Prandaj ju ftojmë të jeni të pranishëm në stadium ditën e shtunë”, – është ky njoftim i klubit shkodran.

Tashmë mbetet për t’u parë, nëse në “Loro Boriçi” do të ketë një pjesëmarrje masive ashtu si kur Vllaznia luante me dinjitet në Superiore, apo do të ketë një numër të pakët siç edhe ka ndodhur në pjesën më të madhe të ndeshjeve të këtij sezoni.

E.S./Vipsport.al/