Në kryeqytet ngrihet trofeu, aksi Laç-Fushë Krujë vendos mbijetesën

Kategoria Superiore luan sot javën e parafundit dhe pritet që të ketë emocione ashtu si edhe javët e kaluara duke qenë se ka hyrë në një fazë të nxehtë sa i përket Europës dhe sidomos mbijetesës. Tirana dhe Kastrioti kanë një diferencë prej vetëm 2 pikësh dhe kur kanë mbetur edhe 2 javë gjithçka mbetet e hapur.

Bardheblutë luajnë sot një transfertë delikate në fushën e vështirë të Laçit, ku si synim është fitorja por edhe barazimi bën punë në të tilla ndeshje pasi e mban Kastriotin sërish poshtë vetes me ndeshje direkte. Sakaq, takim delikat kanë edhe krutanët në shtëpi pasi luajnë ndaj Teutës që sheh vendin e dytë, megjithatë të besuarit e Devollit kanë treguar se dinë t’i hapin probleme çdo kundërshtari në shtëpi.

Skënderbeu sheh mundësinë e fundit sot për të prerë një biletë për në Kupat e Europës dhe më pas të shpresojë në një vendim pozitiv të KAS-it. Korçarët presin në shtëpi Luftëtarin e 1 mijë problemeve dhe synim për ta është vetëm fitorja. Supersfida e kësaj jave është ajo që luhet në kryeqytet mes Partizanit dhe Kukësit ku të kuqtë ngrenë lartë titullin kampion, ndërkohë që Kukësi synon të blindojë vendin e dytë. /Erjon Allaraj-VipSport.al/

Luhen sot: 

16:30 Kastrioti-Teuta

16:30 Laçi-Tirana

16:30 Partizani-Kukësi

16:30 Skënderbeu-Luftëtari